Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, në fjalën e saj, theksoi: “Me mbështetjen e Zyrës së BE-së kemi forcuar raportet bilaterale në nivel evropian, duke luajtur një rol kyç në anëtarësimin dhe përfaqësimin e Kosovës në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB). Ky zhvillim i ka dhënë Kosovës një zë aktiv në politikë-bërjen evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale.”
Ndërsa, z. Jarmo Helppikangas, Udhëheqës i Sektorit për Sundimin e Ligjit, të Drejtat e Njeriut dhe Çështjet Ligjore në Zyrën e BE-së, vlerësoi rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët për mbrojtjen e të dhënave. “Mbrojtja e të dhënave personale dhe të drejtave themelore të njeriut nuk është detyrë vetëm e një institucioni. Është përgjegjësi e përbashkët, dhe Zyra e BE-së është e gatshme të vazhdojë mbështetjen për Kosovën në këtë drejtim,” tha ai.
Udhëheqësja e Divizionit për Bashkëpunim Ndërkombëtarë, znj. Liridona Krasniqi Zeqiri diskutoi për rezultatet e bashkëpunimit mes AIP-së dhe Zyrës së BE-së, që përfshijnë aktivitetet për forcimin e proceseve të inspektimit në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe zbatimit të ligjit, organizimin e misioneve TAIEX, si dhe vizitat studimore për shkëmbimin e praktikave me të mira me vendet anëtare të BE-SË, si Letonia dhe Austria.
Për rolin e shoqërisë civile në avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale, prezantuan znj. Renata Bajrami, nga GLPS, e cila diskutoi rezultatet e projektit “Just React”, në veçanti hartimin e akteve të brendshme dhe udhëzuesve në nivel komunal. Ndërkohë, znj. Albulena Sadiku nga BIRN Kosova ndau përvojën e suksesshme të projektit “Promoting Digital Rights and Freedoms”, një nismë që synon të përmirësojë të drejtat digjitale jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“T’i mbrojmë të dhënat personale sot, për një të nesërme të sigurt!”

