Nën patronatin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, më 7 dhe 8 prill 2025, për herë të parë në Republikën e Kosovës, u mbajt Punëtoria Evropiane për Shqyrtimin e Rasteve të Lirisë së Informimit – një ngjarje me karakter të lartë profesional, që mblodhi përfaqësues nga 14 shtete evropiane, përfshirë institucionet homologe për qasje në dokumente publike nga Austria, Gjermania, Hungaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Shqipëria, Skocia, Sllovenia, Zvicra, si dhe Zyra e Avokatit të Popullit të Bashkimit Evropian.
Ngjarja u hap nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, e cila theksoi rëndësinë e kësaj punëtorie për fuqizimin e mekanizmave për garantimin e lirisë së informimit dhe promovimin e qasjes së hapur në dokumente publike, si bazë themelore për ndërtimin e institucioneve transparente, llogaridhënëse dhe në shërbim të qytetarëve.
Gjatë dy ditëve të punimeve intensive, pjesëmarrësit prezantuan raste konkrete dhe shkëmbyen përvoja mbi:
Praktikat më të mira evropiane në qasjen në dokumente publike;
Transparencën në shpenzimet publike dhe proceset e prokurimit;
Balancimin ndërmjet së drejtës për informim dhe mbrojtjes së sekretit afarist dhe pronësisë intelektuale.
Përmes kësaj ngjarjeje, Kosova riafirmoi angazhimin e saj si partner i besueshëm në promovimin e të drejtave themelore të qytetarëve dhe përkushtimin për të kontribuar në ndërtimin e një mjedisi demokratik, që mbështetet në parimet e transparencës, llogaridhënies institucionale dhe qasjes së barabartë në informacione publike.
Punëtoria u përmbyll me një vizitë përkujtimore në kompleksin e Prekazit, si homazh ndaj historisë dhe trashëgimisë së lirisë dhe shtetndërtimit në Kosovë. Në këtë kontekst, Agjencia për Informim dhe Privatësi shpreh mirënjohjen e saj për të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre profesional dhe angazhimin në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për të avancuar standardet kombëtare, në përputhje me praktikat më të mira evropiane.

English
Srpski