Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, mori pjesë në panelin “Privatësia dhe Mbrojtja e Identitetit” gjatë tryezës së organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), e cila trajtoi çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në media.

Në fjalën e saj, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku theksoi rëndësinë e përpunimit të ligjshëm të të dhënave personale të fëmijëve, duke nënvizuar se këto të dhëna janë të ndjeshme dhe kërkojnë mbrojtje të veçantë sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ndër tjerash, ajo prezantoi praktikat e vëzhgimit me kamera dhe fotografimit të fëmijëve me pëlqimin e prindërve, duke siguruar përputhshmëri me legjislacionin në fuqi.
Për të aplikuar masa të sigurisë për ruajtjen e këtyre të dhënave, Komisionerja theksoi se mediat duhet të hartojnë një udhëzues për ndikimin e publikimit të të dhënave personale të fëmijëve me qëllim të sigurimit se të gjitha të dhënat e ndjeshme të trajtohen me kujdesin e duhur për të shmangur ekspozimin e pakontrolluar të tyre në media.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të ndryshme, përfshirë: Institucionin e Avokatit të Popullit, Zyrën për Qeverisje të Mirë, Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Universitetin e Prishtinës (UP), Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe organizatën Terre des Hommes Kosovo (TDH).
Gjatë tryezës u diskutuan tema të ndryshme, duke përfshirë:
– Mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet mediale;
– Programet edukuese dhe raportimin e përgjegjshëm etik;
– Rolin e shoqërisë civile në mbrojtjen e fëmijëve.
Institucionet dhe organizatat pjesëmarrëse u zotuan për të forcuar bashkëpunimin mes vete me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
https://www.vudols.com