Me ftesë të Komisionerit të Agjencisë Polake për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Universitetit Kozminski në Varshavë, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, mori pjesë si paneliste në seminarin ndërkombëtar shkencor me temë “Sfidat Ligjore të Teknologjive Revolucionare,” mbajtur më 7-8 nëntor 2024.
Gjatë diskutimit të saj, znj. Sogojeva-Dërmaku theksoi angazhimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në mbështetjen e Agjendës Digjitale të Kosovës 2030, një strategji që synon transformimin digjital të vendit në përputhje me standardet evropiane. Ajo sqaroi se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk përfshin në mënyrë specifike rregullimin e Inteligjencës Artificiale (IA), gjithsesi ai vendos një kornizë të qartë për mbrojtjen e të dhënave personale që zbatohet edhe për sistemet e IA. Komisionerja theksoi se Agjencia është e përkushtuar të sigurojë që përpunimi i të dhënave personale përmes këtyre teknologjive të jetë në përputhje me parimet ligjore dhe standardet më të larta të sigurisë dhe privatësisë, duke mbikëqyrur me kujdes zhvillimet teknologjike për të mbrojtur të drejtat themelore të individëve.
Në panel morën pjesë gjithashtu z. Miroslaw Wroblewski, Komisioner i Agjencisë Polake për Mbrojtjen e të Dhënave Personale; z. Vagelis Papakonstantinou, profesor i kibernetikës dhe sigurisë së të dhënave në Universitetin Vrije të Brukselit; dhe z. Tihomir Katulić, profesor i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Universitetin e Zagrebit, ndërsa diskutimi u moderua nga prof. Guido Smorto nga Universiteti i Palermos.
Seminari Ndërkombëtar Shkencor mbi “Sfidat Ligjore të Teknologjive Revolucionare” trajtoi çështje si ndikimi i IA në privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave, sfidat ligjore të automatizimit dhe robotikës, dhe zhvillimet e reja në teknologjitë blockchain dhe internetin e gjërave (IoT), me fokus në zgjidhjet praktike për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar. Ky seminar është mbështetur nga një sërë donatorësh dhe institucione ndërkombëtare, duke përfshirë Universitetin e Palermos, Universitetin Masaryk, Laboratorin e Sigurisë Kibernetike dhe të Dhënave (Universiteti Vrije i Brukselit), Universitetin e Liverpool-it (Shkolla Juridike dhe e Drejtësisë Sociale), Universitetin e Teknologjisë së Varshavës, Universidad Militar Nueva Granada dhe Fondacionin AI LAW TECH.