Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, z. Jeton Arifi, organizuan një tryezë diskutimi për zyrtarët për mbrojtje të të dhënave personale dhe zyrtarët për qasje në dokumente publike të institucioneve qeveritare

Gjatë punimeve të kësaj tryeze, Komisionerja shpalosi dispozitat e Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, si një e drejtë relative që aplikohet rast pas rasti. Ajo përqendroi diskutimin në rolin e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rëndësinë e fuqizimit të tij në çdo institucion publik. Mes tjerash, Komisionerja prezantoi bazën ligjore të përpunimit të të dhënave personale, ndërlidhjen e sistemeve në përputhje me parimin e kufizimit të qëllimit dhe pëlqimin e subjekteve për përpunimin e të dhënave të tyre.
Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit për Qasje në Dokumente Publike paraqiti çështjet e interesit publik në kuadër të të drejtës për qasjes në dokumente publike, si një e drejtë universale. Ai, gjithashtu, zbërtheu më hollësisht kriteret e kufizimit të qasjes, të përcaktuara me ligjin e veçantë, duke përfshirë këtu edhe çështjen e klasifikimit të informacioneve.
Pjesëmarrësit, me një qasje ndërvepruese me përfaqësuesit e Agjencisë, shfaqën interesim të lartë dhe shprehën nevojën e harmonizimit të infrastrukturës ligjore të institucioneve që ata përfaqësojnë me Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, për të cilat përfaqësuesit e Agjencisë ofruan udhëzime dhe bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të zbatimit të plotë të këtyre dy ligjeve, ashtu siç parashihet edhe me mandatin e Agjencisë.
https://www.vudols.com