Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi znj. Krenare Sogojeva- Dermaku pjesëmarrëse në konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit – ICIC

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva- Dermaku dhe Drejtorja e Përgjithshme e AIP-së Lumnije Demi, kanë marrë pjesë në konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (International Conference of Information Commissioners-ICIC të realizuar në Tiranë nga data 3 deri më 5 qershor 2024.
Në panelin me temën “Ekuilibri mes qasjes në informacion dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Si mund t’i mbrojmë të dhënat personale të qytetarëve duke siguruar të drejtat e informacionit dixhital?”, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva- Dermaku, foli për rëndësinë e qasjes në informacion në epokën digjitale dhe prezantoi veprimet e AIP-së për të rritur transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike, Agjencia ka iniciuar këtë vit realizimin e programit për transparencë nëpërmjet të cilit synon rritjen e pro -aktivitetit të institucioneve publike për publikimin e informatave në mënyrë elektronike.
Gjithashtu, Komsionerja e AIP-së prezantoi edhe detyrimet e institucioneve që në kudër të transparencës dhe llogaridhënies duhet të avancojnë edhe mbrojtjen e të dhënave personale, përkatësisht mbrojtjen e të drejtave personale të qytetarëve.
Pjesëmarrës të këtij paneli të udhëhequr nga Besa Velaj, Drejtore Kabineti në IDP Shqipëri, ishin edhe Ulrich Kelber, Komisioneri Federal Gjerman për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirinë e Informacionit, Tetyana Oleksiyuk, Zv. Presidentja e Grupit Informativ të Qasjes të Këshillit të Evropës, Ibrahim Seaga Shaw, Kryetari dhe Komisioneri për të Drejtën e Qasjes në Informacion të Sierra Leone dhe Ahmed Ahid Rasheed, Komisioneri për Informacion të Maldives.
Konferenca Ndërkombëtare e Komisionerëve të Informacionit (ICIC) është forum vjetor mbarë botëror që lidh Komisionerët e Informimit, Avokatët e Popullit dhe udhëheqës të institucioneve të tjera, përgjegjëse për zbatimin e ligjit për Qasje në Dokumente Publike, dhe ka për qëllim nxitjen dhe promovimin e qasjes në informata si një nga shtyllat e demokracisë. Gjatë punimeve te konferencës Komsionerja zhvilloi takime të veçanta me Komisionerët për Informim të vendeve pjesëmarrëse në konferencë dhe ka diskutuar mundësitë ë bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në avancimin e qasjes në dokumente publike.
Në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit – ICIC morën pjesë mbi 200 përfaqësues të shteteve/juridiksioneve anëtare dhe vëzhguese të ICIC -së nga të gjitha kontinentet, të cilët dolën me një deklaratë publike me titull “Transparenca dhe Epoka Dixhitale: roli i Komisionerëve të Informimit dhe fuqizimi i qytetarëve”. Kjo deklaratë thekson nevojën e vazhdueshme për transparencë dhe qeverisje të hapur, me qëllim të fuqizimit të qytetarëve nëpërmjet të drejtës së tyre për qasje në dokumente publike.
https://www.vudols.com