Java e Qasjes në Dokumente Publike

📌 Agjencia për Informim dhe Privatësi organizon tryezë diskutimi me Sekretarët e Përgjithshëm të Ministrive dhe Udhëheqësit e Agjencive Rregullatore.
Në hapjen e tryezës, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, theksoi se Agjencia, përmes mandatit të saj ligjor për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, do të vazhdojë përpjekjet për të shërbyer si organ promovues dhe ndërgjegjësues, për të siguruar realizimin e të drejtës për informim, e drejtë kjo e garantuar me ligj, Kushtetutë dhe e mbrojtur nga konventa ndërkombëtare
Komisionerja theksoi se me numrin në rritje të ankesave, forcimi i transparencës nëpërmjet mekanizmave të tjerë është sa i nevojshëm po aq i domosdoshëm. Andaj, për këtë vit Agjencia ka iniciuar Programin e Transparencës që ka për synim rritjen e publikimit proaktiv të dokumenteve publike të institucioneve, një faktor që do të ndikonte direkt në rritjen e llogaridhënies së institucioneve. Ky mekanizëm tha ajo do të shërbejë për ti shmangur kërkesat burokratike për qasje në dokumente publike duke ngritur nivelin e llogaridhënies dhe transparencës në një nivel më të lartë të komunikimit me grupet e interesit.
Sikurse në takimet paraprake, Komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku përsëriti kërkesën për Sekretarët e Përgjithshëm të Institucioneve që gjatë trajtimit të ankesave, kanë për obligim të bëjnë testin e dëmit, i cili vlerëson dëmin që do t’i shkaktohej interesit të mbrojtur kundrejt interesit publik për publikim, para marrjes së vendimit për refuzim të publikimit të dokumenteve publike me vetiniciativë, si dhe para marrjes së vendimit për refuzimin e kërkesave për qasje në dokumente publike.
Raportet krahasimore për ankesat e parashtruara në AIP dhe monitorimin e publikimit proaktiv u prezantuan nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi dhe Udhëheqësja e Divizionit për Shqyrtimin e Ankesave, Arbëri Hiseni.
Për rëndësinë e transparencës dhe publikimit proaktiv të dokumenteve publike, folën edhe z. Arben Krasniqi, Sekretar i Zyrës së Kryeministrit, znj. Megan McCormack, Shefe e Divizionit të Qeverisjes në Departamentin e Demokratizimit në OSBE, dhe znj. Jeta Xharra, Drejtoreshë e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN).
https://www.vudols.com