25 janar 2023
Java e Mbrojtjes së të Dhënave Personale vazhdon sot me përfaqësuesit e Bizneseve të Republikës së Kosovës
Agjencia për Informim dhe Privatësi, në bashkëpunim me Kosovo CSR Network organizoi sot një Sesion Informues me përfaqësues të bizneseve në Kosovë për të diskutuar mbi sfidat dhe zhvillimet më të fundit në mbrojtjen e të dhënave.
Sesioni Informues përfshiu një mori temash lidhur me obligimet që dalin për bizneset nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, rëndësinë e sigurisë së të dhënave personale dhe mënyrat për të promovuar privatësinë në epokën digjitale.
Fokusi i sesionit informues ishte rëndësia e pa tjetërsueshme e Zyrtarit për Mbrotjen e të Dhënave Personale dhe rëndësia e vendosjes së shenjave njoftuese dhe sistemit të vëzhgimit me kamerë në hapësirat e duhura të çdo biznesi apo kompanie në përputhje me Ligjin për Mbrotjen e të Dhënave Personale.
Qëllimi i realizimit të këtij sesioni ishte që bizneset të ndërgjegjësohen që të mos dëmtojnë qytetarin dhe që të mbrojnë të dhënat personale si e drejtë fundamentale e njeriut.
Sesioni informues ngjalli interesim shumë të madhë të bizneseve në trajtimin e rasteve specifike, andaj duke shpresuar se njohuritë dhe praktikat e ndara do të ndihmojnë më tej kauzën e mbrojtjes së të dhënave personale, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen në këtë Sesion Informues duke ju ofruar gatishmëri dhe njëkohësisht bëri thirrje që kurdo herë që kanë nevojë për këshilla apo opinione ligjore të i drejtohen Agjencisë, si dhe të reagojnë në rastet kur ata shohin keqpërdorim të të dhënave personale.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në bashkëpunim me Platforma Civikos sot edhe në Gjilan për Javën e Mbrojtjes të të Dhënave Personale me Kryetarin e Komuna e Gjilanit, si dhe OJQ-të, përfaqësuesit e bizneseve dhe qytetarët aktiv
Agjencia, në bashkëpunim me bizneset vendore dhe OJQ-të, mbajti një konferencë në qytetin e Gjilanit për të diskutuar rëndësinë e privatësisë së të dhënave dhe mënyrat për të mbrojtur të drejtat e individëve. Konferenca ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe ne jemi mirënjohës për pjesëmarrjen aktive dhe kontributet e vlefshme nga të gjithë pjesëmarrësit.
Paneli ishte I përbërë nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, Kryetari I Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni dhe Drejtori i Projekteve në Platformën CiviKos, z. Dardan Kryeziu.
Ndërsa po shënohet java në nder të Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Agjencia po punon për të siguruar që të dhënat personale të mbrohen dhe të informoj qytetarët se privatësia e të dhënave është një e drejtë themelore për të gjithë individët. AIP do të vazhdoj të punoj ngushtë me bizneset dhe OJQ-të për të promovuar një kulturë të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave në qytetin e Gjilanit dhe më gjerë.
Si Komisionerja ashtu edhe Kryetari ranë dakord të vazhdojnë të punojnë së bashku për të mbrojtur të dhënat personale dhe për të promovuar një kulturë të privatësisë në qytet duke ju kujtuar pjesëmarrësve rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave dhe që të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të mbrojtur informacionet personale të vetes dhe të tjerëve.
z. Arbian Arifi, Inspektor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, tregon se cilat kritere duhet të plotësohen për vendosjen e kamerave të sigurisë.