Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, mori pjesë në Asamblenë e 47-të të Autoriteteve Mbikëqyrëse për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë (Global Privacy Assembly – GPA), e cila u mbajt në Seoul, Kore e Jugut, nga data 15 deri më 19 shtator 2025.
Këtë vit, Asambleja zhvilloi punimet nën temën qendrore:
“Inteligjenca artificiale në jetën tonë të përditshme: çështjet e të dhënave dhe privatësisë”, duke reflektuar mbi sfidat rreth përputhshmërisë së zhvillimeve teknologjike me të drejtat themelore të privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale.

Takime bilaterale dhe bashkëpunime të reja ndërkombëtare
Gjatë këtij forumi, Komisionerja zhvilloi takime dypalëshe me përfaqësues të autoriteteve homologe dhe organizatave ndërkombëtare, me fokus në vendosjen e partneriteteve të qëndrueshme dhe nismave të reja të bashkëpunimit:

Takim me z. John Paul Rodriguez, Komisioner i Autoritetit Mbikëqyrës të Gjibraltarit – takim që i paraprin nënshkrimit të një Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MoU) për formalizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

Takim me z. Noriswadi Ismail, Drejtor i Lartë për Privatësi të të Dhënave në GSMA, ku u diskutua mundësia e organizimit të një konference ndërkombëtare në Kosovë, si dhe bashkëpunimi në fushën e avokimit global për privatësinë digjitale, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të prioriteteve për vitin 2026.

Takim me përfaqësues të autoriteteve të Ishullit të Manit dhe Guernsey, ku u shqyrtuan hapësirat për bashkëpunim të ndërsjellë dhe projekte të përbashkëta në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.

Në kuadër të sesioneve të mbyllura, GPA miratoi një rezolutë ndërkombëtare mbi mbrojtjen e të dhënave personale në proceset e trajnimit të modeleve të inteligjencës artificiale, ku u theksuan qartë parimet udhëheqëse për përdorimin e të dhënave personale në këtë fushë, duke riafirmuar se çdo zhvillim i teknologjive të AI duhet të jetë në përputhje të plotë me kornizat ekzistuese ligjore dhe standardet e privatësisë.
Përmes kësaj pjesëmarrjeje aktive në GPA, Agjencia për Informim dhe Privatësi përforcon rolin e saj si institucion i angazhuar në rrjetin global të mbrojtjes së të dhënave, duke hapur rrugë për nisma të reja ndërkombëtare, rritje të ndikimit strategjik dhe avancim të standardeve të privatësisë në Republikën e Kosovës

.