Agjencia për Informim dhe Privatësi Pjesë e Punëtorisë së Autoriteteve Evropiane për Lirinë e Informimit në Madrid

Nën organizimin e Sekretariatit të Autoritetit Homolog Federal Gjerman, dhe me pjesëmarrjen e autoriteteve të apelimit në fushën e lirisë së informimit nga dymbëdhjetë shtete evropiane, Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, së bashku me Drejtorin e Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, Jeton Arifi, dhe Udhëheqësen e Divizionit për Shqyrtim të Ankesave për Qasje në Dokumente Publike, Arberi Hiseni, morën pjesë në Punëtorinë “Case Handling Workshop on Freedom of Information” në Madrid të Spanjës.
Përfaqësuesit e AIP-së prezantuan temën “Inicimi i Deklasifikimit të Informacioneve të Klasifikuara” dhe diskutuan për kompetencat e Agjencisë në këtë fushë të përcaktuara sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Tema zgjoi interes mes pjesëmarrësve për rëndësinë e qasjes së qytetarëve në informacion, interesin publik dhe transparencën në veprimtarinë shtetërore.
Komisionerja Krenare Sogojeva Dërmaku zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Këshillit Spanjoll për Transparencë, José Luis Rodríguez Álvarez, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve që ata udhëheqin. Gjatë këtij takimi, Komisionerja shprehu gatishmërinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi për të organizuar punëtorinë e ardhshme të këtij forumi. Si rezultat i diskutimeve dhe shprehjes së interesit nga ana e Agjencisë, autoritetet tjera votuan në favor të mbajtjes së punëtorisë në pranverë të vitit 2025 në Kosovë.
https://www.vudols.com