Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka fituar statusin e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB)

 

Njoftim – 10 tetor 2024, Prishtinë

Në kuadër të aktiviteteve për bashkëpunim dh anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka fituar statusin e anëtares vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) pas kërkesës zyrtare dhe lobimeve të vazhdueshme nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku me homologët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm, jo vetëm për AIP si një institucion i pavarur, por edhe për Republikën e Kosovës, duke e forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave.

Anëtarësimi i Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) si vëzhguese në aktivitetet e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) ofron qasje të drejtpërdrejtë në informacionet dhe standardet më të avancuara të mbrojtjes së të dhënave, duke mundësuar kështu harmonizimin e politikave të AIP-së me standardet evropiane. Ky status përmirëson kapacitetet vendore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe forcon bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi për partneritete të reja me autoritetet kombëtare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Përmes pjesëmarrjes në aktivitetet e EDPB-së, AIP do të ketë mundësi të kontribuojë në diskutimet globale mbi politikën e mbrojtjes së privatësisë dhe zhvillimin e udhëzimeve të reja, duke ndikuar kështu në hartimin e politikave që do të ndihmojnë edhe në forcimin e besimit për sigurinë e të dhënave karshi investitorëve të huaj. Njëkohësisht, pjesëmarrja e vazhdueshme në aktivitetet e EDPB-së do të mundësojë që AIP të monitorojë zhvillimet ligjore dhe teknologjike më të fundit, duke garantuar reagimin e duhur ndaj sfidave të reja në fushën e mbrojtjes së të dhënave. Statusi i vëzhguesit pasqyron njohjen ndërkombëtare të përkushtimit dhe angazhimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në zbatimin e standardeve me të larta për mbrojtjen e të dhënave personale, duke kontribuar kështu në sigurinë dhe privatësinë e qytetarëve të saj, si dhe vendos Kosovën më afër institucioneve dhe praktikave evropiane.

Kërkesa e AIP-së për këtë anëtarësim u  prezantua nga Komisioneri kroat, z. Zdravko Vukić, në cilësinë e zëvendës kryesuesit të EDPB-së. Gjatë prezantimit, z. Vukić vlerësoi arritjet e Agjencisë dhe i bëri thirrje Bordit për votim, çka rezultoi në pranimin e statusit të vëzhguesit për AIP, ndërsa njoftimi zyrtar për këtë status është pranuar nga Kryesuesja e EDPB-së, znj. Anu Talus.

Bordi Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) është një organ i pavarur që siguron zbatimin e harmonizuar të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) në BE. Ai përbëhet nga përfaqësues të autoriteteve kombëtare të shteteve anëtare dhe Mbikëqyrësit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave. Roli kryesor i EDPB-së është të promovojë një qasje të përbashkët në zbatimin e GDPR-së, të lëshojë udhëzime dhe opinione detyruese, të vendosë standarde të përbashkëta për autoritetet kombëtare dhe të zgjidhë çështje ndërkufitare që përfshijnë përpunimin e të dhënave. Ai gjithashtu këshillon institucionet evropiane mbi ndryshimet ligjore dhe teknologjike që ndikojnë në mbrojtjen e të dhënave.

Agjencia për Informim dhe Privatësi mbetet e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën për privatësi dhe të dhënat personale të qytetarëve të saj, duke përfituar nga mundësitë që ofron statusi i ri si anëtar vëzhgues në EDPB.

Bashkëngjitur keni letër konfirmimin nga European Data Protection Board.

Shkarko dokumentin (PDF)

 

https://www.vudols.com