Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) diskutoi me përfaqësuesit e OJQ-ve për orientimet strategjike për vitin 2025

Në kuadër të bashkëpunimit me akterët e interesuar, Agjencia për Informim dhe Privatësi, jvën e kaluar, organizoi një takim me përfaqësuesit e organizatave Jo Qeveritare për të diskutuar orientimet strategjike të Agjencisë për vitin 2025, si dhe Planin e Performancës së Agjencisë për këtë vit.
Në takimin me përfaqësuesit e OJQ-ve, Komisionerja e Agjencisë, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, prezantoi objektivat e Agjencisë për vitin 2025 të cilat synojnë rritjen e efikasitetit të punës së Agjencisë në harmoni me buxhetin e ndarë për këtë vit në përmbushjen e obligimeve ligjore për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.
Objektivat e Agjencisë për vitin 2025, janë të orientuara në avancimin e mekanizmave për mbrojtjen e të dhënave personale, zbatimin e programit të transparencës për publikimin pro-aktiv të informatave dhe dokumenteve nga Institucionet Publike dhe shqyrtimin e ankesave, forcimin e partneritetit me institucionet ndërkombëtare dhe institucioneve homologe në nivel rajonal, si dhe bashkëpunimin me akterët me interes në promovimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjen në dokumente publike.
Agjencia për Informim dhe Privatësi mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me Organizatat Jo Qeveritare për të siguruar transparencë dhe gjithë përfshirje në realizimin e politikave strategjike të Agjencisë me qëllim të promovimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.
https://www.vudols.com