Agjencia për Informim dhe Privatësi shënoi Ditën Ndërkombëtare të Qasjes në Informacion me tryezë diskutimi me shoqërinë civile dhe organizatat donatore

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Qasjes në Informacion, Agjencia për Informim dhe Privatësi, me mbështetjen e OSCE Mission in Kosovo , organizoi sot tryezën e diskutimit me moton “Publikimi i Informacionit – detyrim ligjor, transparencë dhe integritet”, ku morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave donatore, me qëllim të promovimit të së drejtës për qasje në dokumente publike dhe forcimit të transparencës institucionale.
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, theksoi se e drejta për qasje në dokumente publike nuk është vetëm detyrim ligjor, por një element thelbësor për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Në veçanti, ajo nënvizoi se transparenca është prova më e drejtpërdrejtë e integritetit institucional dhe mënyra më e mirë për të forcuar besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Në fjalën e saj, Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinsitucional për të avancuar kulturën e transparencës dhe të drejtës për informim, duke e cilësuar atë si një të drejtë themelore të njeriut dhe parakusht për zhvillim demokratik.
Ndërkaq, Jarmo Helppikangas, Shef i Seksionit të Sundimit të Ligjit dhe Ligjorit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, përgëzoi Agjencinë për rolin e saj dhe rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Evropian për forcimin e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale, si parime thelbësore të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
Gjatë diskutimit, Nensi Jasharaj nga Departamenti i Demokratizimit i Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së në promovimin e dy të drejtave themelore, përkatësisht qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Në kuadër të aktivitetit, Udhëheqësja e Divizionit për Shqyrtim të Ankesave për Qasje, Arbëri Hiseni, prezantoi Raportin Krahasues për Qasje në Dokumente Publike për periudhën janar–gusht 2025, duke shpalosur arritjet e Agjencisë, sfidat dhe gjetjet kryesore krahasuese me vitet e mëparshme.
Tryeza u përmbyll me diskutim të hapur me përfaqësues të shoqërisë civile, ku diskutuan mënyrat për avancimin e kësaj të drejte, përfshirë shkëmbimin e praktikave më të mira, evidentimin e sfidave institucionale, si dhe rekomandime konkrete për:
• forcimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat në realizimin e projekteve të përbashkëta për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies;
• tejkalimin e sfidës së kapaciteteve të kufizuara të stafit përballë rritjes së numrit të ankesave;
• intensifikimin e informimit dhe ndërgjegjësimit të institucioneve publike për publikimin proaktiv të dokumenteve.
https://www.vudols.com