Konferenca përmbyllëse e projektit “Fuqizimi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë kibernetike në të gjithë sektor sektorët në Kosovë”

Agjencia për Informim dhe Privatësi, organizoi sot Konferencën Përmbyllëse e Projektit “Fuqizimi i mbrojtjes së të dhënave personale dhe sigurisë kibernetike në të gjithë sektor sektorët në Kosovë” , i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe i implementuar nga Platforma CiviKos dhe Instituti për Teknologji dhe Shoqëri (ITS). Ky projekt, i cili është zhvilluar përgjatë 15 muajve, shënoi finalizimin e suksesshëm të të gjitha objektivave dhe aktiviteteve të parapara, duke dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në fuqizimin e kapaciteteve institucionale për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike në vend.
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, në fjalën e saj hyrëse falënderoi Ambasadën e Holandës, CiviKos dhe ITS për bashkëpunimin e frytshëm, duke vlerësuar lartë rezultatet e projektit. Ajo theksoi se aktivitetet e realizuara – përfshirë sesionet informuese, trajnimet për zyrtarë publikë, udhëzuesin për OJQ-të, trajnimin e trajnerëve dhe fushatat ndërgjegjësuese – kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e standardeve të mbrojtjes së të dhënave personale në vend. Me theks të veçantë, ajo tha se projekti ka kontribuar dukshëm në forcimin e kapaciteteve të vetë Agjencisë, përmes rregullores për funksionim të brendshëm, krijimit të Regjistrit të Raportimit për Përputhshmëri dhe programit të praktikës për të rinj.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Karin Boven, shprehu kënaqësinë për rezultatet dhe ndikimin e projektit në fushat e trajtuara, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë së këtyre arritjeve Ajo nënvizoi se mbështetja e Holandës për Kosovën në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale mbetet një prioritet, duke shërbyer si inspirim për iniciativa të ardhshme.
Drejtori Ekzekutiv i Platformës CiviKos, z. Dardan Kryeziu, prezantoi të dhëna statistikore mbi aktivitetet e zhvilluara gjatë projektit, të cilat dëshmojnë për ndikimin e prekshëm dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në zbatimin e praktikave më të mira në fushën e mbrojtjes së të dhënave dhe sigurisë kibernetike.
Konferenca u përmbyll me një panel diskutimi me temën “Mbrojtja e të dhënave për një shoqëri me një të ardhme të sigurt”, ku Kushtrim Mustafa nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, Samir Lleshi në pëfaqësim të Odës Ekonomike të Kosovës, Arsim Mustafa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, nën moderimin e Atdhe Lila nga Instituti për Teknologji dhe Shoqëri ndanë perspektivat e tyre mbi sfidat dhe arritjet në këtë fushë, përkatësisht nevojën për subvencionime në implementimin e sistemeve të mbrojtjes së të dhënave, ndërgjegjësimin e bizneseve dhe qytetarëve, si dhe praktikat e komunave në avancimin e përputhshmërisë me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Konferenca përmbyllëse dëshmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërsektorial në adresimin e sfidave të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes së të dhënave personale, duke theksuar se këto arritje duhet të shërbejnë si bazë për zhvillime të mëtejshme në këtë fushë.
https://www.vudols.com