Në një takim të përbashkët me përfaqësues të organizatave joqeveritare, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, duke përmbushur mandatin e saj ligjor për garantimin e të drejtës për qasje në dokumente publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjatë kësaj periudhe, janë pranuar gjithsej 544 ankesa, nga të cilat 431 janë përmbyllur ndërsa 113 janë në shqyrtim. Konkretisht, në fushën e qasjes në dokumente publike janë trajtuar 462 ankesa, ku 292 janë përfunduar dhe 170 janë ende në proces, ndërsa në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale janë pranuar 82 ankesa, prej të cilave 59 janë përfunduar dhe 23 janë në shqyrtim.
Në funksion të mbikëqyrjes së zbatimit të ligjit, Agjencia ka realizuar gjithsej 196 inspektime, përfshirë 125 sipas detyrës zyrtare dhe 71 të tjera bazuar në ankesa të adresuara nga qytetarët. Po ashtu, me qëllim të harmonizimit të kuadrit ligjor me standardet evropiane, Agjencia ka vazhduar procesin e hartimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në Institucionet e Zbatimit të Ligjit, në përputhje me Direktivën (BE) 2016/680 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit (e njohur si LED). Paralelisht, janë ofruar gjithsej 29 këshilla ligjore për institucione publike, sektorin privat dhe qytetarë, ndërkohë që Agjencia është angazhuar edhe në 20 aktivitete gjyqësore përmes paraqitjes së padive, ankesave dhe përfaqësimit në seanca gjyqësore.
Gjatë gjashtëmujorit janë zhvilluar 20 aktivitete informuese dhe janë trajnuar mbi 450 pjesëmarrës nga sektori publik dhe privat, përfshirë zyrtarë publik, kontrollues të të dhënave dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit nga fusha si shëndetësia, sistemi bankar, shërbimet sociale, OJQ-të dhe mediat. Nga këto trajnime, 227 pjesëmarrës janë certifikuar për mbrojtjen e të dhënave personale, duke reflektuar përkushtimin e Agjencisë për forcimin e zbatimit të ligjit në praktikë.
Në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare, suksesi i Agjencisë gjatë kësaj periudhe karakterizohet me anëtarësimin në Komitetin Drejtues të Rrjetit Evropian për Transparencë dhe Qasje në Informata (ENTRI), i formalizuar gjatë Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve për të Drejtën e Informimit (ICIC), mbajtur më 24 qershor 2025 në Berlin. Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Kosovës në platformat evropiane për transparencë dhe të drejtën për informim.
Për të lehtësuar përputhjen me parimet e përgjegjshmërisë, proporcionalitetit dhe transparencës, gjatë kësaj periudhe Agjencia ka finalizuar dhe publikuar katër udhëzues për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilët ofrojnë mbështetje praktike për kontrolluesit dhe përpunuesit në sektorin publik dhe privat për përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Përmes këtij raporti, Agjencia rikonfirmon përkushtimin e saj për të avancuar të drejtat e qytetarëve, për të rritur llogaridhënien publike dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të transparencës dhe privatësisë në Kosovë.

English
Srpski