Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka pranuar njoftime dhe shqetësime të ngritura nga qytetarë të Republikës së Kosovës, të cilët shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” si destinacion udhëtimesh, lidhur me praninë e mediave dhe gazetarëve në hapësirat e aeroportit dhe publikimin e xhirimeve të realizuara.
Duke vlerësuar lartë rolin thelbësor të mediave në informimin e opinionit publik, Agjencia kërkon nga mediat respektimin e detyrimeve ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, respektivisht privatësinë e udhëtarëve në ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” – Prishtinë.
Agjencia u bën thirrje mediave që gjatë raportimeve të kenë konsideratë për qytetarët, duke:
respektuar mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve, veçanërisht në situata të ndjeshme personale ose familjare;
shmangur regjistrimet ose publikimet pa marrjen e pëlqimit të qytetarëve;
koordinuar xhirimet ose intervistat me autoritetet përkatëse të aeroportit;
përmbajtur nga raportimet sensacionale që mund të cenojnë dinjitetin ose të drejtat personale të udhëtarëve.
Në rastet kur gazetarët kanë pëlqimin e të intervistuarit për ta xhiruar, publikimi i pamjeve që përfshijnë edhe individë të tjerë në lëvizje duhet të trajtohet me kujdes, kur këta mund të jenë në fokus të xhirimeve dhe publikimeve, pa pëlqimin e tyre.
Agjencia u bën thirrje mediave të ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe informimin e qytetarëve në përputhje me standardet ligjore dhe etike, duke mbetur në dispozicion për të ofruar mbështetje profesionale në zbatimin e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

English
Srpski