Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, së bashku me U.D. Drejtorin e Departamentit për Mbrojtjen e të Dhënave, Kushtrim Mustafa, dhe Udhëheqësin e Divizionit për Shqyrtimin e Ankesave, Arbian Arifi, morën pjesë në takimin e shtatë të “Iniciativa 20i7”, i cili u mbajt nga 8 deri më 10 shtator në Ptuj të Sllovenisë. Ngjarja mblodhi përfaqësues të autoriteteve të mbrojtjes së të dhënave personale nga vendet e rajonit, duke shërbyer si platformë për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e sfidave e përvojave në këtë fushë.
Në këtë takim, Komisionerja Sogojeva-Dërmaku theksoi përkushtimin e Agjencisë për të qenë në hap me zhvillimet teknologjike. Ajo prezantoi platformën e krijuar për identifikimin e rrjedhjeve të të dhënave personale – një hap novator që e vendos Kosovën ndër vendet e para në rajon me një mekanizëm praktik për adresimin e incidenteve të tilla – si dhe veprimet e ndërmarra për harmonizimin e kornizës ligjore të Kosovës me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), Konventën 108 dhe Direktivën Evropiane për Zbatimin e Ligjit (LED).
Në deklaratën e përbashkët, autoritetet anëtare të Iniciativës 20i7 theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në kohën e zhvillimeve të shpejta teknologjike si inteligjenca artificiale, duke paralajmëruar se mbrojtja e të drejtave të njeriut mund të cenohet rëndë në mungesë të një reagimi të duhur nga rregullatorët.

English
Srpski