Në takimin informativ sot mes Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhe Shoqatës së Bankave të Kosovës, anëtarët e bankave nga Komiteti i Sigurisë Kibernetike në SHBK dhe përfaqësues të departamentit përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale, u mblodhën për të diskutuar rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe forcimin e masave për përputhshmëri me parimet e legjislacionit në fuqi. Një nga temat kryesore të takimit ishte prezantimi i Platformës për Identifikimin e Rrjedhjes së të Dhënave Personale, një mekanizëm i ri që synon të ndihmojë institucionet publike dhe private në Kosovë në monitorimin dhe parandalimin e shkeljeve të mundshme të sigurisë së të dhënave personale.
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, nënvizoi se mbrojtja e të dhënave personale është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. Në veçanti, ajo theksoi se krijimi i kësaj platforme është një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mbikëqyrjes dhe reagimit efikas ndaj incidenteve që cenojnë një të drejtë themelore të qytetarëve, siç është mbrojtja e të dhënave personale.
Menaxheri për Operacione në SHBK, z. Kreshnik Kosumi, vlerësoi lartë këtë iniciativë duke potencuar se bankat në Kosovë janë të përkushtuara për të zbatuar praktikat më të mira në trajtimin e të dhënave të qytetarëve dhe për forcimin e masave të sigurisë së të dhënave. Ndërsa, përfaqësuesit e SHBK riafirmuan angazhimin e sektorit bankar për mbrojtjen e të dhënave dhe theksuan se respektimi i standardeve të privatësisë është një përparësi e vazhdueshme për institucionet financiare.

English
Srpski