Me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe me ftesë të Komisioneres për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, një delegacion nga Agjencia Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i kryesuar nga z. Zdravko Vukić, Drejtor i Agjencisë dhe njëherit Zëvendëskryesues i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB) po realizojnë një vizitë zyrtare në Kosovë.
Delegacioni nga Kroacia u mirëprit nga Komisionerja Sogojeva Dërmaku dhe bashkëpunëtorët e Agjencisë, me ç‘ rast dy autoritetet homologe diskutuan për veprimet konkrete në forcimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm, zhvillimin e kapaciteteve dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës në strukturat kyçe për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjatë vizitës, delegacioni u prit në takime të veçanta nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz, si dhe Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, të kryesuar nga zëvendëskryetari i parë, z. Enver Dugolli. Vizita gjithashtu përfshiu një takim me Kryetarin e Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti dhe vizitë me komunitetin kroat në fshatin Janjevë, duke nënvizuar kështu marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.
Udhëheqësit e institucioneve shprehën mirënjohjen e tyre për kontributin e z. Vukić në procesin e anëtarësimit të Kosovës si anëtare vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave (EDPB), ndërsa vlerësuan lart përpjekjet e Komisioneres Sogojeva Dërmaku për të siguruar që Kosova është pjesë aktive e mekanizmave ndërkombëtarë që promovojnë standarde të avancuara për mbrojtjen e të dhënave personale.
Komisionerja falënderoi z. Vukić për përkrahjen e tij vendimtare në anëtarësimin e Kosovës si vëzhguese në EDPB, duke e cilësuar këtë arritje si një njohje të përpjekjeve të vazhdueshme të AIP-së për harmonizimin e rregullativave ligjore me direktivat e Bashkimit Evropian dhe përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare. Ndërsa, Drejtori Vukić theksoi gatishmërinë për të mbështetur tutje Agjencinë në zhvillimin dhe implementimin e politikave në përputhje me praktikat më të mira evropiane në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.
Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, si z. Vukić, janë një shtysë për avancimin e mëtejshëm të vendit drejt harmonizimit me standardet evropiane dhe integrimit në mekanizmat ndërkombëtarë, andaj kjo vizitë dëshmon përkushtimin e Agjencisë për të qenë një partner aktiv në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.