Gjyqtarët e Sapoemëruar Vizitojnë Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të bashkëpunimit me Akademinë e Drejtësisë, mirëpriti një grup të gjyqtarëve të sapoemëruar, si pjesë e programit fillestar për gjyqtarë dhe prokurorë të rinj.
Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku, së bashku me inspektorët e Agjencisë, ofruan një prezantim gjithëpërfshirës mbi funksionet kryesore të Agjencisë, sfidat dhe përgjegjësitë në mbrojtjen e të dhënave personale. Diskutimi u përqendrua në parimet themelore të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të drejtat e subjekteve të të dhënave, e në veçanti për rëndësinë e zbatimit të saktë të Ligjit në kontekstin e vendimeve gjyqësore dhe mbledhjes së provave, duke siguruar kështu mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore.
Komisionerja Sogojeva-Dërmaku shprehu gatishmërinë e Agjencisë për të ofruar këshilla dhe ndihmë në zbatimin e Ligjit përmes një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe të frytshëm me sistemin gjyqësor.
https://www.vudols.com