Agjencia për Informim dhe Privatësi, me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi një punëtori me temën “Balancimi i së Drejtës për Informim dhe së Drejtës për Privatësi”, në Komunën e Hanit të Elezit. Punëtoria mblodhi zyrtarë komunalë nga Komuna e Hanit të Elezit, Komuna e Ferizajit, Komuna e Shtimes, dhe Komunës së Kaçanikut, të cilët u informuan mbi çështjet kritike të kuadrit ligjor nga Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dërmaku.
Komisionerja Sogojeva-Dërmaku përqendroi diskutimin në rolin e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rëndësinë e fuqizimit të këtij roli në çdo institucion publik. Ndër tjerash, ajo theksoi balancimin e transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale, duke nënvizuar rëndësinë e anonimizimin e të dhënave gjatë publikimit të dokumenteve.
Në lidhje me qasjen në dokumente publike, Komisionerja theksoi çështjet e interesit publik, me ç’rast ajo diskutoi për publikimin proaktiv të dokumenteve publike, i cili është një obligim ligjor që ndikon në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies institucionale të komunave.
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, z. Mehmet Ballazhi, përgëzoi pjesëmarrësit dhe organizatorët për iniciativën, duke theksuar se organizimi i ngjarjeve të tilla fuqizon zyrtarët publikë me njohuri dhe siguron që të drejtat e qytetarëve, përkatësisht e drejta për informim dhe e drejta për privatësi, realizohen në mënyrë efektive nga institucionet.