Agjencia për Informim dhe Privatësi Pjesëmarrëse në Konferencën Vjetore të Autoriteteve Evropiane për Mbrojtje të të Dhënave Personale, e njohur si “Spring Conference”, në Riga të Letonisë

14-16 maj, 2024
Nën organizimin e Inspektoratit Shtetëror të të Dhënave Personale të Letonisë, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva-Dermaku së bashku me stafin e AIP-së, kanë marrë pjesë në edicionin e 32-të të Konferencës Pranverore të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Konferenca Pranverore mbledh së bashku udhëheqës dhe zyrtarë të Autoriteteve Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Kryesuesin e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, gjyqtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ekspertë të fushës së mbrojtjes së të dhënave personale, me qëllim të diskutimit dhe ndarjes së përvojave më të mira në trajtimin e rasteve që realizohen nga autoritetet e BE-së.
Në këtë konferencë, u trajtuan tema të rëndësishme përfshirë:
– Zbatimi i GDPR-së dhe problematikat e tij
– Ndërveprimi i mbrojtjes së të dhënave me kornizat ligjore dhe ligjin e konkurrencës
– Roli dhe detyrat e zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave personale
– Ndikimi i rrjeteve sociale dhe teknologjisë në privatësi
– Përpunimi automatik i të dhënave dhe praktikat e mira gjatë përpunimit të të dhënave personale
– Të drejtat e subjektit të të dhënave personale dhe transferimi i të dhënave personale
– Ndërlidhja e sistemit të dosjeve
Komisionerja, znj. Krenare Sogojeva-Dermaku, përmes takimeve të veçanta me përfaqësues të autoriteteve evropiane, pati mundësinë të shkëmbejë përvojat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi gjatë zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Këto takime shërbyen gjithashtu për rrjetëzim dhe për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim të vendosjes të standardeve më të larta evropiane në Kosovë.
https://www.vudols.com