Komisionerja për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku dhe Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë, Lumnije Demi kanë marrë pjesë në Iniciativën 20i7, ngjarje e cila mbledh autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale nga vendet e rajonit për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të ofruar mundësi për shkëmbimin e përvojave mbi standardet të avancuara në lidhje me të drejtën e privatësisë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Duke qenë se ligji ynë për mbrojtjen e të dhënave personale është plotësisht në përputhje me GDPR, Komisionerja, Krenare Sogojeva-Dërmaku diskutoi përpjekjet e Agjencisë për të harmonizuar kornizën ligjore me standardet evropiane për mbrojtjen e të dhënave personale, në veçanti Konventën 108 dhe Direktivën Evropiane për Zbatimin e Ligjit të njohur si LED.
Gjatë diskutimeve, Komisionerja prezantoi veprimet konkrete të ndërmarra nga Agjencia për krijimin e një rrjeti të zyrtarëve për mbrojtjen e të dhënave personale, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kësaj pozite për të siguruar zbatimin efektiv të ligjit. Ajo gjithashtu diskutoi për rëndësinë e iniciativave për ndërgjegjësim të institucioneve për të siguruar zbatimin e rregullativës ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Në takimin e gjashtë të “Iniciativa 20i7” morën pjesë autoritetet nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale.