Gjatë punimeve të kësaj tryeze, Komisionerja shpalosi dispozitat e Ligjit për Mbrojtje të të Dhënave Personale, si një e drejtë relative që aplikohet rast pas rasti. Ajo përqendroi diskutimin në rolin e zyrtarit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rëndësinë e fuqizimit të tij në çdo institucion publik. Mes tjerash, Komisionerja prezantoi bazën ligjore të përpunimit të të dhënave personale, ndërlidhjen e sistemeve në përputhje me parimin e kufizimit të qëllimit dhe pëlqimin e subjekteve për përpunimin e të dhënave të tyre.
Në anën tjetër, Drejtori i Departamentit për Qasje në Dokumente Publike paraqiti çështjet e interesit publik në kuadër të të drejtës për qasjes në dokumente publike, si një e drejtë universale. Ai, gjithashtu, zbërtheu më hollësisht kriteret e kufizimit të qasjes, të përcaktuara me ligjin e veçantë, duke përfshirë këtu edhe çështjen e klasifikimit të informacioneve.
Pjesëmarrësit, me një qasje ndërvepruese me përfaqësuesit e Agjencisë, shfaqën interesim të lartë dhe shprehën nevojën e harmonizimit të infrastrukturës ligjore të institucioneve që ata përfaqësojnë me Ligjin për Mbrojtje të të Dhënave Personale dhe Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, për të cilat përfaqësuesit e Agjencisë ofruan udhëzime dhe bënë thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të sigurimit të zbatimit të plotë të këtyre dy ligjeve, ashtu siç parashihet edhe me mandatin e Agjencisë.