Prishtinë, 27.09.2022
Java e Informimit me moton “Tash edhe më lehtë” sot vazhdoi me gjyqtarë dhe prokurorë
Komisionerja për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, hapi punimet e konferencës duke theksuar se për të siguruar një sistem të hapur dhe llogaridhënës gjyqësor dhe prokurorial është më se e domosdoshme krijimi i praktikës së publikimit me vetiniciativë i dokumenteve që prodhojnë këto dy sektorë.
Panelistë të tjerë në këtë konferencë ishin edhe Prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, z. Kreshnik Gashi, si dhe Kryeredaktori i Gazetës Shneta, z. Bujar Vitija.
Në anën tjetër, një fjalë rasti u mbajt edhe nga Shefi i Misionit të EULEX Kosovo (Official), z. Lars Wigermark, i cili potencoi se e drejta për qasje në dokumente publike i takon secilit pa dallim, si dhe theksoi 3 elementet prapa parimit të gjykimeve publike: transparenca, llogaridhënia dhe proaktiviteti, dhe rëndësinë e tyre për shoqëri demokratike.
Poashtu, një fjalë rasti mbajti edhe zëvendës kryetari i Komisionit për Cështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, z. Enver Dugolli, i cili në veçanti theksoj të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe progresin që është bërë deri më tani, por duke pasur kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale në dokumentet specifike sic mund të jenë në këto dy institucione.
Agjencia për Informim dhe Privatësi paraqiti një raport statistikor ndaj Gjykatave dhe Prokurorive, i cili nxiti një debat shumë të dobishëm nga pjesëmarrësit. Komisionerja theksoi se e drejta për qasje në dokumente dhe informacione publike funksionon si një parim që ndihmon qytetarët të dinë se çfarë vendime merren nga institucionet e të cilat vendime kanë ndikim në jetën e tyre. Andaj, gjyqtarët dhe prokurorët duke treguar për sfidat drejt realizimit që kanë në kuadër të realizimit të kësaj së drejte, konferenca u mbyll me konkluzionet si në vijim:
– Kjo konferencë do të jetë si pikënisje e bashkëpunimit të hapur mes AIP-së dhe Gjykatave e Prokurorive;
– Të organizohen trajnime për zyrtarët për informim tek gjykatat e prokuroritë;
– Të i kushtohet rëndësi publikimit me vetiniciativë të dokumenteve publike dhe
– Rekomandohet që gjykatat dhe prokuroritë të nxjerrin një rregullore të brendshme për klasifikimin e dokumenteve që nuk duhet të ndahen me publikun.
*Agjencia për Informim dhe Privatësi falënderon OSCE Mission in Kosovo për bashkëpunimin dhe përkrahjen në organizimin e kësaj Konference.
Për të ndjekur konferencën me Gjyqtarë dhe Prokurorë: