Misioni dhe Vizioni
Agjencia për Informim dhe Privatësi, duke pasur status të pavarur, ka përgjegjësinë ligjore për mbikëqyrjen e legjitimitetit të përpunimit të të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike.
Këshillëdhënia organeve publike dhe private, marrja e vendimeve për ankesat e paraqitura, inspektimet dhe kontrollet, informimi i publikut, si dhe promovimi e përkrahja e të drejtave themelore për mbrojtjen e të dhënave personale dhe qasjes në dokumente publike janë pjesë e fushë veprimtarisë kryesore në kuadër të misionit të Agjencisë.
Me qëllim të përmbushjes së misionit të saj, sipas strategjisë, Agjencia synon të realizojë këto objektiva: Ndërgjegjësimin e qytetarëve për të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë dhe qasjes në dokumente publike; Mbikëqyrjen e ligjshmërisë së përpunimit të të dhënave përmes inspektimeve dhe kontrolleve si dhe kontrollin e ofrimit të qasjeve në dokumente publike nga institucionet publike; Thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punëve me organet dhe institucionet tjera, si dhe me mekanizmat dhe institucionet ndërkombëtare, me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të së drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë dhe qasjes në dokumente publike; Ngritjen profesionale të personelit të Agjencisë, funksionalizimin e plotë të strukturës organizative, si dhe sigurimin e hapësirave shtesë të punës; Fushatën njoftuese dhe ndërgjegjësuese për opinionin publik përmes aktiviteteve përkatëse; Mbajtjen e takimeve, konferencave; Bashkëpunimin rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve me karakter rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale; Mundësitë për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasje në Dokumente Publike ndërthurën me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe në hartimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme si IPA – TAIEX
Bashkëpunimi ndërkombëtar lidhur me çështjen e mbrojtjes së të dhënave personale është pjesë e rëndësishme e misionit të përhershëm të Agjencisë, duke ditur prioritetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për integrime evropiane.