Prishtinë, 28 janar 2022
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale mbajti sot në Prishtinë konferencë me temën “Mbrojtja e të Dhënave dhe Liria e Shprehjes – ‘’Tash më Sigurt”.
Në hapjen e punimeve të konferencës me moton “Tash më Sigurt”, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, znj. Krenare Sogojeva – Dërmaku, tha se mbrojtja e të dhënave personale është një sfidë për institucionet e Republikës së Kosovës, por edhe një nevojë që kjo çështje të rregullohet në mënyrën sa më të mirë të mundshme, duke respektuar të drejtat e secilës palë.
“AIP po bënë gjithçka që është e mundur që qytetarët e Kosovës ta kuptojnë rëndësinë dhe të drejtën e tyre për të mbrojtur të dhënat personale, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutën Republikës së Kosovës dhe me ligjin përkatës”, tha më tej Sogojeva – Dërmaku.
Me fjalë përshëndetëse për të pranishmit u paraqitë përfaqësuesi nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë z. Dimitros Machairidis, si dhe Shefi i Këshillit të Evropës në Prishtinë z. Frank Power, të cilët vlerësuan lart angazhimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në respektim të të drejtës për Lirinë e Shprehjes dhe Lirinë e Mediave, duke mbikëqyrur, njëkohësisht, zbatimin e dispozitave ligjore të Ligjit Nr. 06/L-82 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Një rol të madh në garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, siç u tha në këtë konferencë, ka dhënë edhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Naim Qelaj, Avokat i Popullit, gjatë fjalimit të tij përshëndetës, tha se institucioni që ai drejton ka krijuar një mekanizëm përmes të cilit i ofron mundësi qytetarëve ta kërkojnë të drejtën e tyre që në shumë raste u mohohet. “Brenda vitit që lamë pas, ne si institucion kemi pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave për qasje në dokumente publike krahasuar me vitin 2020, kjo tregon shumë për rolin dhe ndikimin që ka pas emërimi i komisionerës për Informim dhe Privatësi në institucionin përkatës’’ tha ai.
Pjesë e konferencës ishte z. Enver Dugolli – Nënkryetar nga Komisioni Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili mes tjerash tha se ‘Agjencia tashmë gëzon besim të plot nga ana e përfaqësuesve të Kuvendit për punën që po bëjnë’ duke veçuar ngritjen e vetëdijes tek publiku për zbatimin e të dy ligjeve, me theks të veçantë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Një ndër synimet e kësaj konference ishte që të sillte rreth tryezës së diskutimeve përfaqësues eminentë ndërkombëtarë dhe vendorë, të cilët do të ndanin përvojat dhe praktikat e tyre në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe lirisë së shprehjes.
Në këtë kontekst, i jashtëzakonshëm ishte kontributi, që me temat e tyre të fushës përkatëse folën; Flutura Kusari-Këshilltare Ligjore ECPMF /AGK si dhe Jeta Xharra – Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN). Ato pasqyruan situatën aktuale me raste konkrete me të cilat ballafaqohen gazetaret në aspektin e mbrojtjes së të dhënave dhe privatësisë, njëkohësisht duke bërë përpjekje për të triumfuar në të drejtën tyre për lirinë e medias.
Në përmbyllje të këtij takimi znj. Sogojeva Dermaku, paraqiti konkluzionet që rezultuan nga diskutimet e të pranishmëve:
- Analiza vepruese në raport me inicimin e procedurave për përafrimin me standardet Konventës 108 për Përpunimin Automatik të Dhënave Personale;
- Organizimi i fushatave sensibilizuese lidhur me të drejtën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe atë për qasje në dokumente publike.
- Shtimi i inspektimeve të rregullta sipas autorizimeve ligjore të agjencisë;
- Trajnime për zyrtarët të institucioneve publike dhe atyre private në zbatim të ligjeve përkatëse;
- Si dhe, mundësinë e realizimit të trajnimeve me përfaqësues nga komuniteti i gazetarisë.
Krejt në fund, komisionerja për informim dhe privatësi falënderoi të gjithë të pranishmit për angazhimin e tyre, si dhe mbështetjen e vazhdueshme që po japin institucionet, organizatat jo qeveritare, shoqëria civile, përfaqësues vendorë e ndërkombëtare të fushës përkatëse, në punën e saj si titullare e këtij institucioni.