SQARIM PUBLIK – AGJENCIA PËR INFORMIM DHE PRIVATËSI

Për reagimin e publikuar nga z. Agon Sinanaj nga ‘Buletini Ekonomik’, për trajtimin e ankesës së adresuar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, të publikuar më 18 gusht 2025 – https://www.facebook.com/share/p/1YMrGvyc8n/

19 gusht 2025, Prishtinë

Në kuadër të trajtimit të ankesës së adresuar, Agjencia për Informim dhe Privatësi njofton opinionin publik se veprimet e saj janë ndërmarrë në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Kufizimi i qasjes në dokumente publike është bërë me qëllim të garantimit të interesit të mbrojtur, i cili, në rastin konkret, mbisundon interesin publik, pasi ndarja e informacioneve të tilla me palë të treta do të mund ta dëmtonte seriozisht procesin hetimor. Agjencia njofton se pas përfundimit të hetimeve, me kërkesë të palës, qasja në informata do të mund të realizohet duke siguruar tërësinë e tyre.

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), bazuar në përgjegjësitë ligjore të përcaktuara me Ligjin Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ka pranuar ankesën e adresuar nga z. Agon Sinanaj nga ‘Buletini Ekonomik’, të adresuar ndaj ZRrE-së, për mos ofrimin e qasjes në dokumente publike, të parashtruar në këtë institucion publik, ku janë kërkuar:
Pp
1. Të dhënat e blerjeve të energjisë elektrike nga importi (2024), orë për orë, për vitin 2024 nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO);

2. Të gjitha kontratat individuale të përmbyllura gjatë tregtimit me energji elektrike nga KESCO, për vitin 2024.

Pas pranimit të ankesës, Agjencia ka kërkuar nga ZRrE arsyetimin e kufizimit të qasjes së kërkuar, duke iu referuar të paktën njërit prej 12 kritereve të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 17 të Ligjit Nr. 06/L-081.

Në shkresën arsyetuese, ZRrE ka deklaruar se e kishte informuar palën ankuese që informacionet e kërkuara mund t’i marrë në formë të përmbledhur, duke theksuar se kufizimi i qasjes ndaj të dhënave për blerjen e energjisë orë për orë, do të mund ta pengonin procesin e hetimit të brendshëm, i cili është duke u zhvilluar në saje të monitorimit të blerjeve të energjisë nga KESCO, ndërsa ka nënvizuar zotimin që do t’ia përcjellë palës edhe këtë kategori informacionesh pasi të jetë përmbyllur procesi i monitorimit, i cili, sipas tyre, në vete përmban edhe hetimin.

Në përgjigje të vendimit të karakterit detyrues të Agjencisë, i cili në këtë fazë, është mbështetur në arsyetimin e ZRrE -së, të ofruar në fazën para- përfundimtare të shqyrtimit të ankesës, kishte detyruar ZRrE-në që të ofronte qasje të plotë ndaj dokumenteve– objekt kërkese.

ZRrE, përveç letërkëmbimit të zhvilluar me palën ankuese, të cilin e ka ndarë me Agjencinë, më 29 korrik 2025, ka kërkuar një takim zyrtar, brenda të cilit, përfaqësuesve të ZRrE-së do t’u mundësohej të ofronin informata të detajuara të definimit dhe arsyetimit të interesit të mbrojtur në rastin konkret. Në takimin e përbashkët të realizuar, ZRrE ka ofruar sqarime plotësuese rreth pamundësisë së ofrimit të qasjes së plotë në informata (dokumenteve) të kërkuara, për shkak të potencialit për të penguar procesin e brendshëm hetimor.

Bazuar në nën paragrafin 2.3 të Nenit 17 të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, përkatësisht – Bazat e lejueshme për refuzimin e qasjes në dokumente publike, përkatësisht kufizimin e së të drejtës për qasje në dokumente publike ku është theksuar se qasja në dokumente kufizohet ne raste të- parandalimit, hetimit dhe ndjekjes së veprave penale në rastet kur publikimi i dokumenteve publike mund të dëmtojë procesin e hetimit, Agjencia ka vlerësuar se në rastin konkret, kufizimi i kësaj kategorie të informatave mbisundon interesin publik, ngaqë ndarja e informacione të tilla me palë të treta do të mund ta dëmtonte seriozisht procesin hetimor.

Gjatë procesit të shqyrtimit të ankesave, Agjencia zakonisht nxjerr një vendim të karakterit detyrues, siç ka ndodhur me rastin konkret, pas së cilit, brenda afatit ligjor, institucionit publik i ofrohet mundësia që të ofrojë arsyetimet në mbështetje të qëndrimit kufizues për ofrimin e qasjes së plotës në informata. Procesi i shqyrtimit zakonisht përfundon me një vendim përmbyllës dhe në rastin konkret janë nxjerrë dy vendime, siç është përcaktuar me Rregulloren Nr. 01/2025, së brendshëm për shqyrtimin e ankesave për qasje në dokumente publike.

Në kuadër të trajtimit të ankesës së adresuar, Agjencia për Informim dhe Privatësi njofton opinionin publik se veprimet e saj janë ndërmarrë në përputhje me Ligjin Nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike. Kufizimi i qasjes në dokumente publike është bërë me qëllim të garantimit të interesit të mbrojtur, i cili, në rastin konkret, mbisundon interesin publik, pasi ndarja e informacioneve të tilla me palë të treta do të mund ta dëmtonte seriozisht procesin hetimor. Agjencia njofton se pas përfundimit të hetimeve, me kërkesë të palës, qasja në informata do të mund të realizohet duke siguruar tërësinë e tyre.

https://www.vudols.com